Nga ‘Peja Info’ te ‘Peja në Fokus’: 14 vite në shërbim të publikut

Nga një faqe informuese në kuadër të një organizate rinore e kulturore, deri te një media lokale me prezencë në disa platforma – Peja në Fokus ndër vite ka ndjekur zhvillimet e qytetit dhe të rajonit, duke e vendosur informacionin lokal në qendër të veprimtarisë së saj.

Si nisi gjithçka?

Peja në Fokus u krijua më 2 prill 2012, në kuadër të organizatës joqeveritare Euro Peja Information (EPI), një organizatë me karakter kulturor, e cila vepronte kryesisht në fushën e informimit dhe edukimit.

Në atë periudhë, organizata kishte krijuar edhe portalin e njohur të kohës, “Peja Info”, i cili funksiononte nga hapësirat e Qendrës Rinore të atëhershme “Zoom”, e cila më vonë mori emrin Qendra Rinore Peja.

Fillimisht, faqja shërbente kryesisht për pasqyrimin e aktiviteteve të organizatës dhe informimin e qytetarëve.

Nga “Peja Info” te “Peja në Fokus”

Në vitin 2016, faqja mori emrin që mban edhe sot – “Peja në Fokus”.

Ndryshimi i emrit erdhi me një synim të qartë: fokusi të vendosej te Peja, njerëzit, ngjarjet dhe zhvillimet e saj.

Në atë periudhë, veprimtaria ishte ende kryesisht e përqendruar në Facebook dhe nuk kishte ritmin e sotëm të raportimit.

Për një periudhë, Peja në Fokus e zhvilloi aktivitetin e saj edhe nga një hapësirë në objektin e ish-Komitetit, në rrugën “Aleksandër Mojsiu”.

Rritja dhe profesionalizimi

Një etapë e rëndësishme në zhvillimin e Peja në Fokus erdhi gjatë viteve 2019–2020, kur projekti nisi të zgjerojë aktivitetin dhe kapacitetet e tij.

Me kalimin e kohës u formua një ekip prej pesë personash, me përgjegjësi për grumbullimin, verifikimin dhe publikimin e informacioneve.

Kjo periudhë shënoi edhe kalimin drejt një qasjeje më të strukturuar mediatike, ku konfirmimi i informacionit para publikimit u bë një nga parimet kryesore të punës.

Sot – më shumë se një faqe

Sot, Peja në Fokus funksionon si një biznes-media lokale dhe është e pranishme në disa platforma dhe produkte mediatike.

Në ekosistemin e saj përfshihen:

Peja në Fokus

Peja në Fokus Videos

Peja Biznes

Punesohu në Pejë

Image of Peja

Ju flet Peja

Përveç Facebook-ut, aktiviteti është shtrirë edhe në Instagram, TikTok dhe platforma të tjera digjitale.

Një tjetër hap i rëndësishëm ishte krijimi i portalit online https://pejanefokus.net/⁠, i cili shërben si platformë qendrore për publikimin e materialeve dhe përmbledhjen e aktiviteteve të Peja në Fokus.

Një rrjet bashkëpunimi

Gjatë viteve, Peja në Fokus ka ndërtuar bashkëpunime me biznese, organizata, media online, radio dhe televizione, duke krijuar një rrjet partneritetesh që e ka ndihmuar në zgjerimin e informimit lokal.

Sot, adresa e punës dhe takimeve me palët është në rrugën “Gazmend Zajmi”, në Qendrën Tregtare “Burma” në Pejë.

Parimi kryesor: Informacioni i konfirmuar

Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, Peja në Fokus synon të ruajë një parim themelor:

Informacioni të kontrollohet dhe të konfirmohet para se të publikohet.

Qëllimi është që qytetarët e Pejës dhe rajonit të kenë një burim sa më të besueshëm për ngjarjet, zhvillimet dhe çështjet që prekin komunitetin.

Nga një ide e vitit 2012, në një media lokale

Pas më shumë se një dekade, rrugëtimi i Peja në Fokus është historia e një projekti që nisi si një faqe informuese dhe gradualisht u shndërrua në një media lokale me ekip, platforma të shumta dhe prani të përditshme në jetën publike të Pejës.

Themeluesi dhe ndërtuesi kryesor i këtij projekti është gazetari Valdrin Daci. /Pejanefokus.net/

Motoja e jona:”Peja në Fokus – Peja, njerëzit dhe ngjarjet e saj. Nuk synojmë të jemi të parët, por të besueshmit. Sepse, në fund, krejt kanë me qenë në Fokus.”

LEXO EDHE: