Sezoni i ri i basketbollit kosovar nuk do të nisë me përballjen e shumëpritur mes dy skuadrave me traditë, KB Sigal Prishtina dhe KB Peja.
Ndeshja, e paraparë të zhvillohej të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, nuk do të luhet, pasi Prishtina nuk i ka regjistruar zyrtarisht lojtarët për këtë ndeshje.
Këtë e kanë konfirmuar të dy klubet përmes njoftimeve të ndara.
KB Peja ka bërë të ditur se i ka përmbushur të gjitha obligimet e nevojshme për zhvillimin e ndeshjes, ndërsa ka theksuar se përballja do të regjistrohet me rezultat zyrtar, në përputhje me procedurat e garës.
Ndërkohë, KB Sigal Prishtina ka sqaruar se problemi lidhet me obligime financiare ndaj agjentëve dhe disa lojtarëve, të cilat, sipas klubit, kanë origjinën nga sezoni i kaluar dhe kanë përfunduar edhe në procedura pranë FIBA-s dhe Basketball Arbitral Tribunal (BAT).
Prishtina thotë se ka kryer pagesat e kërkuara përmes avokatit që e përfaqëson pranë FIBA-s, por procedurat ende nuk janë përmbyllur.
Klubi prishtinas ka falënderuar Federatën e Basketbollit të Kosovës për mbështetjen në përpjekjet për zgjidhjen e situatës. /Pejanefokus.net/Sport/
