Banori i Malajt të Rugovës, Besnik Lajçi, i është drejtuar me kërkesë publike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për rregullimin dhe asfaltimin e rrugës “Ndrel Nika”, e cila lidh Drelajn me Malajn e Rugovës.
Lajçi thotë se kjo rrugë është rreth gjashtë kilometra e gjatë dhe se për rregullimin e saj u është drejtuar institucioneve për rreth 12 vjet.
Në kërkesën e tij, ai ka renditur edhe kontributin që, sipas tij, ka dhënë ndër vite në Pejë dhe veçanërisht në Rugovë.
“Me mjetet e mia kam realizuar dhe mbështetur disa projekte në shërbim të komunitetit”, shkruan Lajçi, duke përmendur memorialin “ABC” në Pejë, kompleksin memorial kushtuar dëshmorëve të Rugovës, hapësirat për nxënësit e shkollës së Drelajt, sigurimin e një minibus për nxënësit, amfiteatrin me rreth 1,200 ulëse në Drelaj, muzeun dhe shtëpitë tradicionale prej guri, si dhe hapjen e rreth gjashtë kilometrave rrugë me mjete të tij.
Lajçi thotë se investimet e tij kanë pasur për qëllim zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e kushteve për komunitetin.
Për rrugën që kërkon të asfaltohet, ai thekson: “Nuk kërkoj privilegj apo trajtim të veçantë. Kërkoj vetëm që kjo rrugë, e cila lidh Drelajn me Malajn dhe u shërben banorëve e zhvillimit të kësaj zone, të shqyrtohet sipas kritereve të barabarta, transparente dhe objektive.”
Në kërkesë, ai kërkon nga institucionet të verifikojnë arsyet pse rruga nuk është asfaltuar, kriteret e përdorura për rrugët e tjera në Rugovë dhe nëse ajo është përfshirë në ndonjë plan apo ndarje buxhetore.
Lajçi thotë se, pas viteve të pritjes, po shqyrton edhe mundësinë e një proteste paqësore, përfshirë grevën e urisë, por para çdo veprimi kërkon që çështja të zgjidhet përmes institucioneve. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
