(E plotësuar) Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje shtesë lidhur me personat e lënduar në aksidentin tragjik në Dollc të Klinës.
Sipas njoftimit të spitalit, katër persona janë pranuar për trajtim mjekësor.
“1 person është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK, 1 person po vazhdon trajtimin në spitalin tonë, ndërsa 2 persona janë liruar për në shtëpi në gjendje stabile”, thuhet në njoftim.
Spitali ka bërë të ditur gjithashtu se personi që humbi jetën nga aksidenti nuk është sjellë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
***
(Lajmi paraprak) Katër persona të tjerë mbetën të lënduar dhe po trajtohen në Spitalin Rajonal në Pejë, ndërsa rasti po hetohet nga policia.
Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Dollc të Klinës.
Lajmin e ka konfirmuar Zyra për Media e Policisë në Pejë, e cila bëri të ditur se aksidenti është raportuar rreth orës 04:55.
“Ju informojmë se sot, më datën 18 maj 2026, në orën 04:55, Policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Dollc-Klinë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, bëhet fjalë për një vetaksident, ku një person ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa katër të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
“Si pasojë e këtij vetaksidenti një person ka pësuar me fatalitet, vdekjen e së cilit e kanë konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa katër (4) të tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor dhe të njëjtit sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet tutje në njoftim.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion./Pejanefokus.net/
