Më 7 korrik, Redaksia e portalit ‘Peja në Fokus’ i ka dërguar kërkesë zyrtare Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë për sqarime lidhur me mirëmbajtjen e varrezave të qytetit, shërbimet e varrimit, tarifat dhe përdorimin e donacioneve.
Deri më 15 korrik, nuk është pranuar asnjë përgjigje nga ky institucion.
Shqetësimet e qytetarëve lidhur me gjendjen e hapësirave të varrezave të qytetit në Pejë kanë qenë të vazhdueshme, gjë për të cilën portali ‘Peja në Fokus’ ka raportuar edhe më 8 maj 2026, teksa në lidhje me këtë çështje, portali ka adresuar pyetje dhe ka dërguar fotografi te kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj, për një sqarim dhe qëndrim zyrtar, mirëpo deri më tani nuk është pranuar ende asnjë përgjigje.
Më 7 korrik 2026, ‘Peja në Fokus’ përseri ka nisur trajtimin e kësaj çështje, por se kësaj here duke adresuar pyetje në formë të kërkesës zyrtare tek KBI-së në Pejë, ku ka kërkuar informata dhe përgjigje për një sërë çështjesh me interes publik.
Ndër pyetjet e adresuara kanë qenë:
- Sa persona janë aktualisht të angazhuar për mirëmbajtjen e varrezave të qytetit dhe në çfarë forme janë të angazhuar?
- Cilat janë detyrat e tyre dhe sa është buxheti i ndarë për mirëmbajtjen e kësaj hapësire?
- A ekziston një plan i rregullt për pastrimin, kositjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të varrezave?
Po ashtu, KBI-së i janë kërkuar sqarime edhe për shërbimet e varrimit dhe tarifat që paguajnë qytetarët, përfshirë:
- Cilat janë tarifat aktuale për shërbimet e varrimit?
- Si përcaktohen këto tarifa?
- Ku destinohen të hyrat e realizuara nga këto shërbime?
Një pjesë e pyetjeve kanë të bëjnë edhe me donacionet e pranuara ndër vite nga biznese, organizata dhe qytetarë, përfshirë mjetet dhe automjetet e dhuruara për shërbimet e varrimit.
Në këtë drejtim, ‘Peja në Fokus’ ka kërkuar të dijë:
- Sa mjete dhe automjete për bartjen e kufomave janë në dispozicion të KBI-së?
- A janë blerë nga institucioni apo janë siguruar përmes donacioneve?
- A kanë ndikuar këto donacione në uljen e kostove për qytetarët që paguajnë për shërbimet e varrimit?
Gjithashtu janë kërkuar informata për transparencën financiare, raportimin publik, bashkëpunimin me institucionet tjera dhe planet për menaxhimin afatgjatë të varrezave të qytetit.
Nga data e dërgimit të kërkesës, 7 korrik, e deri më sot, 15 korrik 2026, KBI në Pejë nuk ka kthyer përgjigje për pyetjet e dërguara nga ‘Peja në Fokus’.
Portali ynë mbetet i hapur që përgjigjen dhe sqarimet e Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë t’i publikojë sapo ato të pranohen, në mënyrë që qytetarët të kenë një pasqyrë të plotë për këtë çështje me interes publik./Pejanefokus.net./Ju flet Peja/
