Deponia e Sferkës në Pejë – në fokus të institucioneve

Pejë, 28 korrik – Organizata “Syri i Vizionit” organizoi të martën tryezën e rrumbullakët me temë “Deponia e Mbeturinave në Sferkë të Thatë – Djegia, Menaxhimi, Përgjegjësitë Institucionale, Pasojat dhe Angazhimi i Komunitetit”, ku u diskutua gjendja e deponisë, pasojat e zjarrit dhe hapat drejt një zgjidhjeje afatgjatë.

Takimi, i planifikuar të niste në ora 10:00, filloi rreth 45 minuta me vonesë për shkak të vonesës së pjesëmarrësve.

Edhe pse kishte konfirmuar pjesëmarrjen, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, nuk mori pjesë në tryezë, e po ashtu, të pranishëm nuk ishin as drejtori i Inspektoratit, Albi Shala, dhe drejtori i Emergjencave, Luan Voci.

Një nga temat kryesore ishte zjarri që përfshiu deponinë më 14 korrik.

I pyetur nëse zjarri ishte i qëllimshëm, komandanti i Policisë në Pejë, Faik Jahmurataj, tha se Policia ende nuk ka një konfirmim zyrtar, pasi rasti vazhdon të hetohet.

Kjo deklaratë vjen pasi më herët nga KRM “Ambienti” ishte deklaruar se zjarri dyshohej të ishte shkaktuar nga persona të papërgjegjshëm.

Në tryezë u prezantua edhe projekti për deponinë e re të mbeturinave, e cila pritet të ndërtohet pranë deponisë ekzistuese në Sferkë.

Sipas kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), Dardan Velija, procedurat e prokurimit pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2026, punimet të nisin në gjysmën e parë të vitit 2027 dhe të zgjasin 18 muaj.

Projekti parashihet të kushtojë 12 milionë euro, ku 9 milionë euro do të financohen nga Bashkimi Evropian, 2 milionë euro nga KMDK-ja dhe 1 milion euro nga Komuna e Pejës.

Tryeza u fokusua në përgjegjësitë institucionale, ndikimin e deponisë në mjedis dhe shëndetin e qytetarëve, si dhe hapat e nevojshëm për një zgjidhje të qëndrueshme të menaxhimit të mbeturinave në rajon. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/ 

Kliko për ngjarjen në link: https://www.facebook.com/share/p/1cXXA8r5zR/

LEXO EDHE: