Bordi i Drejtorëve të KRU “Hidrodrini” Sh.A. ka marrë vendim për lirimin nga detyra, me efekt të menjëhershëm, të Sekretarit të Kompanisë, Ardit Berisha.
Sipas njoftimit zyrtar, Bordi konstatoi se nuk janë përmbushur kriteret e pavarësisë së pozitës së Sekretarit të Kompanisë. Me të njëjtin vendim, ushtrues detyre i Sekretarit të Kompanisë është emëruar Artan Asllani.
Në mbledhjen e rregullt, Bordi shqyrtoi dhe miratoi në parim edhe Planin e Biznesit 2026, caktoi personin përgjegjës për procedurat e licencimit pranë Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), si dhe aprovoi me rekomandime Rregulloren për Provizionimin e Llogarive të Arkëtueshme.
Kujtojmë se “Peja në Fokus” kishte raportuar më 8 maj 2026 për reagimin e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të KRU “Hidrodrini”, e cila kishte ngritur pretendime për shkelje ligjore dhe konflikt funksionesh ndaj sekretarit të atëhershëm, Ardit Berisha. Sipas sindikatës, mbajtja njëkohësisht e pozitës së Sekretarit të kompanisë dhe mandatit të anëtarit të Kuvendit Komunal ishte në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
Kliko artikullin për rastin, në link: https://pejanefokus.net/sindikata-akuzon-sekretarin-e-hidrodrinit-per-shkelje-ligjore/?fbclid=IwdGRjcAS_C_BjbGNrBL8L7mV4dG4DYWVtAjExAHNydGMGYXBwX2lkDDM1MDY4NTUzMTcyOAABHrZsTUaYBS-sQX1eetGrhsWiUf4Bc-wAQgtM9JaypALX8hzoV3Q8wae1kwaD_aem_fm5vbMTiY_SwjzJUge7Zzg
Pas publikimit të reagimit, Berisha kishte deklaruar për “Peja në Fokus” se pretendimet ishin të pabazuara, duke theksuar se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte dhënë interpretim zyrtar sipas të cilit nuk ekzistonte pengesë ligjore që ai të ushtronte njëkohësisht të dy funksionet. “Peja në Fokus” kishte bërë të ditur se nuk kishte parë dokumentin e interpretimit të përmendur nga Berisha.
Kliko artikullin për rastin, në link: https://pejanefokus.net/sekretari-i-kru-hidrodrini-pergjigjet-per-akuzat-e-sindikates-ndaj-tij/?fbclid=IwdGRjcAS_DCljbGNrBL8MJ2V4dG4DYWVtAjExAHNydGMGYXBwX2lkDDM1MDY4NTUzMTcyOAABHtdBbZIz2mYkEpQb6z9qIhXUiooLB2MB8sKgQpHVBPRxlwtQtGwcAAH0pJgK_aem_8jHE_8VnExun38x56yf6-A
Në njoftimin e publikuar të premten, Bordi i Drejtorëve nuk e lidh vendimin për lirimin nga detyra me reagimin e mëhershëm të sindikatës, por thekson se vendimi është marrë pasi është konstatuar se nuk janë përmbushur kriteret e pavarësisë së pozitës së Sekretarit të Kompanisë. /Ju flet Peja/Pejanefokus.net/
