Hotel Dukagjini pjesë e panelit për punësimin e të rinjve dhe arsimin profesional

Përfaqësuesi i Hotel Dukagjinit, Egzon Krasniqi, mori pjesë në një panel diskutimi kushtuar lidhjes ndërmjet arsimit profesional dhe tregut të punës, ku u diskutua për sfidat me të cilat përballen bizneset në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe pritshmëritë ndaj të rinjve që aplikojnë për punë.

Gjatë diskutimit, Krasniqi theksoi se sektori i mikpritjes vazhdon të përballet me mungesë të kuadrove të përgatitura, veçanërisht në pozitat që kërkojnë aftësi praktike dhe përvojë në ofrimin e shërbimeve ndaj klientëve.

Sipas tij, gjatë procesit të rekrutimit bizneset nuk vlerësojnë vetëm diplomën apo përvojën e punës, por edhe qëndrimin e kandidatit, përkushtimin, etikën e punës dhe gatishmërinë për të mësuar e avancuar profesionalisht.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e shkollave profesionale në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, duke theksuar se kandidatët që kanë ndjekur këto programe shpesh integrohen më shpejt në vendin e punës falë njohurive dhe aftësive praktike që fitojnë gjatë shkollimit.

Në panel u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe komunitetit të biznesit, si një nga mënyrat më efektive për të krijuar kuadro të përgatitura dhe për t’iu përgjigjur nevojave reale të tregut të punës.

Si përfaqësues i Hotel Dukagjinit, Krasniqi theksoi se investimi në zhvillimin profesional të të rinjve dhe krijimi i urave të bashkëpunimit mes arsimit dhe biznesit mbetet thelbësor për zhvillimin e sektorit të turizmit dhe mikpritjes në Kosovë. /Peja Biznes/Pejanefokus.net/

LEXO EDHE: