Java Në Fokus: Ngjarjet kryesore që shënuan Pejën dhe rajonin

Nga rastet policore dhe vendimet gjyqësore, te çështjet me interes publik – Peja në Fokus sjell përmbledhjen e zhvillimeve kryesore nga 6 deri më 12 korrik 2026.

Gjatë javës së kaluar, nga e hëna deri të dielën, Peja në Fokus ka raportuar për një sërë ngjarjesh dhe zhvillimesh në Pejë dhe rajon, të konfirmuara nga institucionet dhe autoritetet kompetente.

Java nisi me disa raste që morën vëmendjen e publikut. Policia e Kosovës njoftoi se arma e zjarrit, e cila ishte raportuar si e vjedhur në fshatin Gramaqel të Deçanit, është gjetur në oborrin e shtëpisë së viktimës dhe është sekuestruar.

Po ashtu, Gjykata Themelore në Pejë dënoi Aurona Pelajn me 2 vjet e 3 muaj burgim për rastin e keqtrajtimit të së moshuarës në shtëpinë e të moshuarve “Orenda”. Krahas dënimit me burgim, asaj i është ndaluar ushtrimi i profesionit të infermieres për pesë vjet, ndërsa Altina Rexhepi është liruar nga akuza.

Në fokus ishte edhe rasti tragjik në Suedi, ku mbeti i vrarë 20-vjeçari Gent Maksutaj, me prejardhje nga Banja e Istogut. Sipas raportimeve të mediave suedeze, ai dyshohet se u qëllua për vdekje gjatë një përleshjeje mes bandave kriminale.

Ndërkohë, në Klinë u raportua për një rast të dhunës në familje, ku sipas Policisë së Kosovës, pas një mosmarrëveshjeje familjare mes dy vëllezërve, njëri kishte mbetur i lënduar, ndërsa tjetri u arrestua.

Një tjetër temë që mori vëmendje ishte debati rreth produkteve të qumështit. Qumështorja “Vita” bëri të ditur se ishte njoftuar përmes emailit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) se rezultatet e analizave, sipas kompanisë, nuk kanë treguar prezencë të qumështit pluhur apo vajit të palmës. Ndërkohë, AUV reagoi duke sqaruar se rezultatet zyrtare të analizave ende nuk ishin publikuar.

Gjatë së martës u raportua për vizitën e pastorit amerikan Mark Burns në Manastirin e Pejës, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Po atë ditë, zjarrfikësit e Pejës lokalizuan zjarrin në fshatin Ozdrim, ndërsa Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u bëri apel qytetarëve për kujdes gjatë ndezjes së zjarreve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se nga 16 prilli deri më 6 korrik në Kosovë janë regjistruar 52 raste me fruth. Në rajonin e Pejës është konfirmuar një rast në komunën e Deçanit.

Peja në Fokus trajtoi edhe shqetësimet e disa qytetarëve lidhur me faturat e energjisë elektrike pas ndërrimit të njehsorëve. Nga KEDS u sqarua se mënyra e faturimit dhe dorëzimit të faturave vazhdon të jetë e pandryshuar.

Një tjetër çështje me interes publik ishte pagesa prej 8 eurosh për nxënësit e klasave të nënta në SHFMU “8 Marsi” në Pejë. Pas interesimit të Peja në Fokus, shkolla, Këshilli i Prindërve dhe Drejtoria Komunale e Arsimit dhanë sqarimet e tyre lidhur me këtë vendim.

Gjatë javës u raportuan edhe disa raste të dhunës në familje në Pejë. Policia njoftoi për raste të ndara ku pati arrestime dhe procedura hetimore.

Banorët e fshatit Nabërgjan ngritën shqetësime për mbylljen e përkohshme të ambulancës së fshatit. Pas interesimit të Peja në Fokus, Kryeshefja e Mjekësisë Familjare, Arijeta Musliqi, sqaroi se mbyllja ishte bërë për shkak të pushimeve vjetore të stafit dhe se pacientët ishin orientuar në ambulanca tjera.

Në ditët në vijim u raportua edhe për një person të intervistuar nga Policia pasi dyshohet se kishte publikuar fotografi me armë zjarri në rrjete sociale në zonën e Baballoqit të Deçanit.

Po ashtu, një person në Pejë përfundoi në Spitalin e Pejës pasi dyshohet se u sulmua fizikisht me kondak të pistoletës në kokë. Policia ka iniciuar rastin për lëndim trupor dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Të premten u raportua për gjetjen pa shenja jete të një shtetaseje të Malit të Zi në fshatin Banjë të Istogut. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Java u mbyll me raportime për raste të tjera të dhunës në familje, përfshirë një rast të kanosjes përmes rrjeteve sociale dhe një rast të raportuar si ngacmim seksual, të cilat po hetohen nga organet kompetente.

(RAPORT SHTESË) Të dielën, Policia e Kosovës raportoi edhe për katër raste të ndara të posedimit të paautorizuar të armëve në Pejë dhe Istog.

Sipas raportit policor, gjatë kontrolleve të automjeteve në zona të ndryshme, janë konfiskuar disa armë dhe municion.

Në Istog, rreth orës 09:45, gjatë kontrollit të një automjeti, një personi i është gjetur një pistoletë dhe 32 fishekë.

Në Bjeshkët e Istogut, rreth orës 14:50, policia ka ndaluar një automjet me katër persona, ndërsa tek njëri prej tyre është gjetur një pistoletë me 14 fishekë.

Po në Istog, rreth orës 18:40, gjatë kontrollit të një automjeti është gjetur një pistoletë me 10 fishekë, për të cilën i dyshuari kishte leje për përdorim rekreativ, por jo për bartje.

Ndërsa në Pejë, rreth orës 22:10, gjatë kontrollit të një automjeti është gjetur një pushkë ajrore me dy kuti diabolla, për të cilën nuk kishte leje valide.

Në të gjitha rastet, sipas Policisë, të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rastet do të procedohen më tej.

Peja në Fokus do të vazhdojë të sjellë për lexuesit raportime të verifikuara dhe përmbledhje të zhvillimeve më të rëndësishme në Pejë dhe rajon.
/Pejanefokus.net/Ju flet Peja.

LEXO EDHE: