Pas reagimit publik të Korit “Siparantum”, i cili akuzoi Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport për mos-përmendje të kontributit të tyre në një aktivitet me korin nga Lituania, ka ardhur edhe reagimi i Komunës së Pejës.
Nga DKRS theksohet se pretendimet e ngritura nga kori nuk pasqyrojnë realitetin e bashkëpunimit ndërmjet palëve dhe se Komuna ka qenë vazhdimisht mbështetëse e organizatave kulturore në qytet.
Sipas komunës, “Siparantum” është një nga organizatat më të përkrahura në aspektin financiar dhe institucional, duke përfituar subvencione vjetore, mbështetje gjatë pandemisë, si dhe hapësira publike për ushtrimin e aktivitetit të tyre.
Sa i përket aktivitetit me korin nga Lituania, Komuna sqaron se njoftimi zyrtar ka qenë i karakterit protokollar dhe nuk ka pasur për qëllim përmendjen e detajuar të të gjithë akterëve të përfshirë.
“Interpretimi i këtij njoftimi si injorim është i pasaktë dhe joproporcional”, thuhet në reagimin e DKRS-së.
Komuna gjithashtu thekson se vepron në koordinim të plotë me Zyrën e Kryetarit dhe institucionet tjera komunale, duke shtuar se qëndron në krah të të gjitha organizatave kulturore pa dallim.
Në fund, DKRS ka paralajmëruar se në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike do të publikojë dokumentet zyrtare që lidhen me mbështetjen ndaj OJQ-ve, përfshirë edhe “Siparantum”, për të garantuar transparencë të plotë./Pejanefokus.net/Kulturanefokus/
Lajmi paraprak rreth rastit “Siparantum”: https://pejanefokus.net/siparantum-reagon-ndaj-dkrs-se-roli-yne-u-injorua-plotesisht/
