Siç raportoi portali Peja në Fokus, një aksident mes trenit dhe një mjeti të punës – valakut (ngjeshëses) ka ndodhur të mërkurën, më 6 maj 2026, në fshatin Jagodë të Klinës, ku është lënduar një person.
I njëjti fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas është transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.
Për rastin ka folur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Personi i lënduar është dërguar për trajtim në emergjencën e Spitalit Rajonal. Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, hetuesit e aksidenteve dhe hetuesit e aksidenteve të trenave, të cilët po i zhvillojnë hetimet”, deklaroi Gashi.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarit kanë folur edhe nga Emergjenca e QKUK-së. Shefi i Emergjencës, Naser Syla, bëri të ditur se pacienti ndodhet në gjendje të rëndë dhe jo stabile.
“Një i aksidentuar me tren. Nga spitali i Pejës i sjellë, politraumë e rëndë, gjendje e rëndë dhe jo stabile. Janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme, pacienti është i intubuar dhe i kyçur në respirator, ndërsa do të vazhdojë trajtimin në Mjekimin Intensiv Qendror”, deklaroi Syla për Klan Kosova./Pejanefokus.net/Lajme/
