Është mbajtur sot për herë të dytë protesta kundër vendimit të Ministres së Mjedisit, Fitore Pacolli, i cili parasheh ndalimin e përdorimit të mjeteve të punës në zonën e Rugovës nga ana e banorëve, përfshirë edhe për riparimin e objekteve të tyre.
Banorët kanë dalë sërish në protestë duke kërkuar shfuqizimin e vendimit, të cilin e cilësojnë si pengesë serioze për jetën dhe zhvillimin e zonës.
Agron Nikqi tha se institucionet duhet të fokusohen në projekte zhvillimore për banorët, e jo të mblidhen vazhdimisht pa zgjidhje konkrete për të njëjtën çështje. Ai kërkoi reagim nga deputetët, kryetarët e komunave, ministrat dhe kryeministri, si dhe shqyrtim nga Prokuroria Speciale për ligjshmërinë e vendimit.
“Në emër tuajin do t’i kisha lut të gjithë ata deputetë, ata asambleistë nga Komuna këtu… nga institucionet e nalta që janë ka rrinë në heshtje… deri tek kryeministri. Për të mos e lënë me kaq, është Prokuroria Speciale ajo e cila është dashtë sa e sa ditë ta shqyrtojë këtë vendim të padrejtë e të pa bazuar në ligje…”, tha Nikqi.
Ndërkohë, Flamur Rexhbogaj u shpreh se banorët nuk po kërkojnë lëmoshë, por të drejtën e tyre për të jetuar dhe punuar në Rugovë.
“Është e turpshme që një ministre të mbyllë dyert e Rugovës me një goditje të lapsit, duke ndaluar mallra dhe shërbime, që janë buka e fëmijëve, mbijetesa e pleqëve”, tha ai.
Sipas tij, kur një vendim prek jetën e qindra banorëve, komunikimi nuk mund të reduktohet në email apo kërkesa administrative, duke e quajtur këtë mënyrë shmangie nga përgjegjësia institucionale.
“Ky vendim për neve si banorë përbënë një izolim të heshtur për neve si banorë, andaj kërkojmë largimin e këtij vendimi të poshtër”, shtoi Rexhbogaj.
Banorët gjithashtu i kanë bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë ligjshmërinë e vendimit dhe, sipas tyre, abuzimin me pushtetin.
“Këtu nga ky vend, i bëjnë thirrje edhe Prokurorisë së Shtetit, hetoni ligjshmërinë e këtyre vendimeve që bllokojnë jetën e një krahine të tërë… mbi pronën e tyre shekullore”, thuhet ndër të tjera në qëndrimet e protestuesve.
Ndryshe, banorët u takuan me ministren Pacolli më 26 prill 2026, por siç deklaruan, takimi ishte pasukses. /Pejanefokus.net/Lajme/
Lajmi paraprak në link: https://pejanefokus.net/banoret-e-rugoves-takimi-ne-ministri-perfundoi-pa-marreveshje/
