Qytetarët raportojnë gjendje të rënduar në varrezat e qytetit të Pejës

Qytetarë të Pejës kanë ngritur shqetësime lidhur me gjendjen e varrezave të qytetit, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe të lënë pas dore.

Një qytetar që ka raportuar rastin përmes fotografive në “Peja në Fokus” ka shkruar:
“Përshëndetje stafi i Peja në Fokus, sot kam qenë te varrezat e qytetit dhe gjendja ishte për keqardhje. Mbeturinat ishin të shpërndara kudo, sikur të mos kishte askush që kujdeset për to. Pashë edhe qen të vegjël duke u futur brenda varreve, ndërsa në një pjesë tjetër ishte lënë i hapur qefini me një jastëk mes varrezave. Po ashtu, disa punëtorë po digjnin mbeturina mbi një varr. Kam bërë edhe disa foto gjatë kohës që isha aty. Është vërtet shqetësuese në çfarë gjendjeje janë lënë varrezat e qytetit. Ju lutem, nëse mund ta publikoni këtë rast me shpresën që ta shohë dikush dhe të merren masa për këtë problem.”

Sipas raportimeve, qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin dhe rregullimin e hapësirës së varrezave, duke theksuar se gjendja aktuale është e papranueshme.

Në lidhje me këtë çështje, Peja në Fokus ka adresuar pyetje dhe ka dërguar fotografi te kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj, për një sqarim dhe qëndrim zyrtar, mirëpo deri më tani nuk është pranuar ende asnjë përgjigje.

Sapo të merret një qëndrim zyrtar, do të publikohet i plotë për lexuesit. /Pejanefokus.net/Lajme/

LEXO EDHE: