Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të ndryshme në rajonin e Pejës gjatë 17 korrikut, përfshirë raste të dhunës në familje, posedimit të narkotikëve, armëve dhe vjedhjeve.
Në rrugën “Metush Gashi” në Pejë, një person është arrestuar pasi, sipas policisë, gjatë ndjekjes kishte nxjerrë armë zjarri dhe e kishte drejtuar ndaj një zyrtari policor. Atij i janë konfiskuar arma, një karikator me gjashtë fishekë dhe një thikë.
Në fshatin Isniq të Deçanit, një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit policia ka gjetur 42 qese me substancë narkotike të dyshuar si kokainë, me peshë 23.3 gramë, si dhe para dhe telefon.
Policia ka raportuar edhe një rast të dhunës në familje në Pejë, ku një vajzë 14-vjeçare dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait 8-vjeçar dhe motrës 6-vjeçare. Rasti është duke u hetuar.
Në Klinë është raportuar një rast i dyshuar i mosrespektimit të vendimit të gjykatës dhe dhunës në familje, ndërsa në Deçan dhe Pejë janë raportuar raste të vjedhjes së armëve.
Sipas policisë, të gjitha rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
