Sekretari i KRU “Hidrodrini”, Ardit Berisha, ka dhënë përgjigje pas komunikatës së Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të ndërmarrjes, e cila ngriti pretendime për shkelje ligjore dhe konflikt funksionesh.
Në përgjigjen e tij për Peja në Fokus, Berisha i ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura, duke thënë se çështja është trajtuar nga institucionet kompetente.
“Lidhur me çështjen e ushtrimit të funksioneve publike, dëshiroj të theksoj se për rastin konkret është kërkuar dhe është marrë interpretim zyrtar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, si institucioni kompetent për trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me konfliktin e interesit dhe zbatimin e legjislacionit përkatës.
Në interpretimin e saj zyrtar, Agjencia ka konstatuar se nuk ekziston pengesë ligjore që unë të ushtroj njëkohësisht funksionin e Sekretarit të ndërmarrjes dhe mandatin e anëtarit të Kuvendit Komunal, për aq kohë sa respektohen kufizimet ligjore të parapara.
Për këtë arsye, konsideroj se pretendimet e ngritura në komunikatë janë të pabazuara dhe tashmë të trajtuara nga institucionet kompetente.
Unë do të vazhdoj ushtrimin e detyrave të mia në përputhje të plotë me ligjin dhe përgjegjësitë institucionale”, thuhet në përgjigjen e tij.
Nga ana tjetër, Peja në Fokus thekson se nuk ka parë dokumentin e interpretimit të përmendur nga sekretari Berisha.
Ndryshe, siç raportoi sot portali Peja në Fokus, Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “Hidrodrini” kishte reaguar duke ngritur shqetësime për, siç thotë ajo, shkelje ligjore dhe konflikt funksionesh nga sekretari i kësaj ndërmarrje, Ardit Berisha. /Pejanefokus.net/Lajme/
Lajmi paraprak rreth rastit në link: https://pejanefokus.net/sindikata-akuzon-sekretarin-e-hidrodrinit-per-shkelje-ligjore/
