Siç raportoi të mërkurën, më 7 maj 2026, ‘Peja në Fokus’, përmes rrjeteve të saj sociale, një pjesë e rrugës–urë që lidh fshatrat Llozhan dhe Dobërdol është dëmtuar rëndë, duke u hapur si një gropë e madhe dhe duke rrezikuar kalimtarët.
Sipas banorëve, nën këtë segment kalon rrjedha e ujit, çka dyshohet se ka ndikuar në shembjen e saj.
Ata kishin deklaruar për ‘Peja në Fokus’ se zona ishte shënuar me shirita nga policia, por pa ndonjë intervenim konkret.
Pas interesimit të portalit, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Pejë, Agron Nikçi, konfirmoi se komuna është në dijeni për rastin.
“Po, rasti është paraqitur të hënën. Kemi qenë dhe e kemi parë. Do të shkojmë edhe për me mbushë atë pjesë dhe me u rregullu”, tha Nikçi.
I pyetur se kur pritet të intervenohet, ai deklaroi: “Sot (e mërkurë) ka pas me dal kompania. Nesër (e enjte) do të rregullohet.”
Portali Peja në Fokus do të ju mbajë të informuar lidhur me ecurinë e procesit./Pejanefokus.net/Lajme/
