Vetëm pak ditë pas lëshimit në qarkullim të Urës së re të Kapeshnicës në Pejë, kanë nisur reagimet dhe pakënaqësitë e para nga qytetarët për mënyrën e qasjes dhe funksionalitetin e saj.
Ura u përurua të hënën, më 4 maj 2026, nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili tha se projekti do të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit dhe lëvizjes në qytet.

Kliko këtu lajmin për ngjarjen në fjalë: https://pejanefokus.net/hapet-per-qarkullim-ura-e-kapeshnices-ne-peje-investim-mbi-400-mije-euro/
Megjithatë, hyrja në lagjen “Kapeshnica”, konkretisht pjesa e ngushtë mes “Urës së Zallit” dhe urës së re, po konsiderohet problematike nga qytetarët.

Sipas reagimeve, hapësira e kufizuar po vështirëson kalimin e automjeteve, sidomos atyre të rënda, ndërsa shqetësime kanë shfaqur edhe nënat me karroca dhe çiklistët.

Në vazhdim të sheshit, qasja në urë aktualisht bëhet vetëm përmes një pale shkallësh, çka është komentuar gjerësisht nga qytetarët.
Pengesa shtesë në qarkullim po konsiderohen edhe dy objekte që ende ndodhen pranë rrugës së ngushtë.

Lidhur me këtë, për portalin “Peja në Fokus” ka folur Faik Zekaj, shef i kabinetit të kryetarit Gazmend Muhaxheri.
Sipas tij, Komuna tash e një kohë është në diskutime për shpronësimin dhe rrënimin e objekteve, por ende nuk është arritur marrëveshje me pronarët.

Zekaj ka bërë të ditur gjithashtu se projekti i urës ende nuk ka përfunduar dhe se shkallët janë të përkohshme.
“Aty do të ndërtohet pjerrina për karroca dhe biçikleta, ndërsa projekti do të vazhdojë edhe me ndërtimin e shëtitores nën urën e re”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Redaksia e Peja në Fokus ka kontaktuar me njërin nga pronarët e dy objekteve që ndodhen afër asaj rruge, e cila po pretendohet se po ngushtohet shkak të këtyre objekteve.
Sejdi Shatri, pronar i objektit ku ndodhet furra “Kapeshnica”, ka treguar për portalin Peja në Fokus se biznesi i tij deri më tani nuk ka pranuar ndonjë vendim për lirim objekti dhe se furra do të vazhdojë të funksionojë aty edhe për një kohë, ndonëse nuk e mohon se ka pasur negociata me Komunën e Pejës.
Sipas Shatrit, objekti tjetër që ndodhet afër biznesit të tij, e ku sipas tij po krijohet ngushtica dhe vështirësimi i qarkullimit në hyrje të lagjes, e që i takon një familjeje tjetër, tashmë është shpronësuar dhe brenda muajit pritet të lirohet për t’u rrënuar.

Nga ana tjetër, sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Agron Nikçi, investimi për urën dhe elementet përcjellëse ka kushtuar rreth 414 mijë euro, ndërsa punimet shtesë të hyrje-daljeve edhe rreth 20 deri në 25 mijë euro.
Ura e re është pjesë e vazhdimësisë së projektit të sheshit të qytetit dhe pritet ta zëvendësojë “Urën e Zallit”, e cila në të ardhmen do të mbetet vetëm për këmbësorë./Pejanefokus.net./Lajme/
