VIDEO: “Koncertet” e qenve endacakë në Pejë prishin gjumin e qytetarëve

Një qytetar nga Peja ka ndarë në rrjetin social Facebook përvojën e tij me qentë endacakë, duke treguar se zhurmat e tyre gjatë natës po shqetësojnë banorët.

Liburn Shala, i cili jeton në lagjen “Fidanishte”, ka publikuar një video ku shfaqen disa qen endacakë pranë shtëpisë së tij në orët e hershme të mëngjesit.

“Kujt i duhen hotelet me pesë yje në Kosovë, kur koncerti i qenve të rrugës të argëton në ora 03:40! (…) Kur ‘kujdestarët e lagjes’ vendosin të mbajnë mbledhjen e përgjithshme pikërisht te dera e oborrit tuaj në ora katër të mëngjesit, nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të dilni zbathur dhe të bëheni dirigjenti i tyre privat”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky reagim rikthen në vëmendje problemin e qenve endacakë në Pejë, për të cilin Peja në Fokus ka raportuar vazhdimisht.

Më 25 shkurt 2025, Komuna e Pejës nënshkroi kontratë me kompaninë “Kuqi Farms” SHPK për trajtimin e mbi 2,000 qenve endacakë, me vlerë 258,780 euro. Kontrata, e vlefshme deri në vitin 2028, parasheh sterilizimin, vaksinimin dhe trajtimin mjekësor të qenve, me synim përmirësimin e mirëqenies së tyre dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

Megjithatë, shqetësimet nuk kanë munguar as pas nënshkrimit të kësaj kontrate. Pas disa rasteve të sulmeve dhe kafshimeve nga qentë endacakë, sidomos në zonën e Çarshisë së Gjatë, ku vetëm brenda pak ditësh u raportuan të paktën katër raste, rreth 30 tregtarë dorëzuan më 11 dhjetor 2025 një peticion në Komunën e Pejës dhe në Zyrën e kryetarit Gazmend Muhaxheri.

Në peticion, tregtarët kërkuan ndërhyrje urgjente, duke përmendur edhe rastin e një 10-vjeçari që ishte sulmuar nga qentë endacakë, ngjarje e dokumentuar edhe me video.

Sipas informacioneve të siguruara nga Peja në Fokus, deri më tani nuk ka pasur ndonjë përgjigje zyrtare ndaj kërkesës së tregtarëve.

Ndërkohë, çështja është diskutuar edhe në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal për vitin 2026. Nënkryetari i Komunës së Pejës, Fatmir Asllanaj, deklaroi se Komuna ka përmbushur obligimet e saj për krijimin e hapësirës dhe funksionalizimin e strehimores për qentë endacakë, por shtoi se procesi po ecën me ritëm më të ngadalshëm se sa ishte planifikuar.

Kliko lajmin rreth këtij rasti:  https://pejanefokus.net/peje-sulme-nga-qente-endacake-qytetaret-duan-nderhyrje-urgjente-me-peticion/

Ndryshe, me problemin e zhurmës së qenve endacak gjatë orëve të vona të natës kanë raportuar edhe nga lagjet e tjera të qytetit. /Peja në Fokus.net/Peja në Fokus Videos/

LEXO EDHE: