Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Pejës, Xhenet Syka Kelmendi, ka folur për sfidat me të cilat përballen gratë në politikë, duke thënë se një nga faktorët që i dekurajon ato është përballja me tendencat për baltosje dhe sulme personale.
Në një paraqitje për Radio Kosovën, Syka Kelmendi ka deklaruar se në skenën politike kosovare ka raste kur edhe burra janë pjesë e fushatave kundër grave.
“Ajo çka nuk më pëlqen në skenën politike kosovare është se fatkeqësisht burrat janë edhe sponzorizues të fushatave kundër grave. Burrat janë edhe sponsorizues në qarqe të ndryshme për t’i sulmuar gratë dhe vajzat”, ka thënë Syka Kelmendi.
VIdeo-linku i deklarimit të saj: https://www.facebook.com/share/r/1BJMehwmSh/
Ndërkohë, deklarata e saj ka rikthyer në vëmendje edhe një rast të mëhershëm të trajtuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), gjatë fushatës zgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje më 13 janar ishte ankuar në PZAP ndaj kandidates për deputete nga LDK-ja, Xheneta Syka, duke pretenduar se ajo kishte publikuar në Facebook një video ku kryeministri dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, krahasohej me nazistin Adolf Hitler.

Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa ishte cilësuar e bazuar dhe LDK-ja ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë. PZAP po ashtu pati kontstatuar se videoja ishte postuar në profilin e Sykës, por ishte fshirë më pas.

Në arsyetimin e këtij institucioni thuhej se publikimi i videos kishte për qëllim etiketimin e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje dhe promovimin e subjektit të LDK-së. Sipas PZAP-së, krahasimi i Albin Kurtit me figurën e Adolf Hitlerit kishte nxitur urrejtje ndaj subjektit politik të tij.
LDK-ja e kishte kundërshtuar vendimin, duke deklaruar se videoja ishte publikuar nga një profil tjetër dhe jo nga kandidatja për deputete.
Ky rast ka hapur mundësi debati mbi standardet e komunikimit politik, veçanërisht për mënyrën se si përdoren sulmet dhe akuzat në garat politike, si dhe për kriteret që duhet të zbatohen nga të gjithë aktorët publikë. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
