Pejë: Arrestohet i dyshuari që qëlloi me armë drejt një motoçiklisti

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për të shtënat me armë që ndodhën mbrëmjen e së martës, më 5 maj, në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, në afërsi të rrokaqiellit.

Fillimisht, Policia kishte njoftuar se rasti kishte ndodhur rreth orës 21:05, ku cak i të shtënave ishte një person që po lëvizte me motoçikletë.

Kliko lajmin paraprak rreth këtij rasti: https://pejanefokus.net/policia-u-qellua-me-arme-ndaj-nje-personi-ne-motociklete-ne-peje/

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar, derisa ishte në lëvizje me motoçikletë, ka vërejtur se një person i panjohur nga vetura ka nxjerrë pistoletën dhe ka shtënë dy herë. Të lënduar nuk ka, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur e konfiskuar dy gëzhoja. Lidhur me rastin është informuar prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, kishte bërë të ditur Policia.

Ndërkaq, pas veprimeve hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë një të dyshuar lidhur me këtë rast.

“Rr. Adem Jashari, Pejë 05.05.2026-21:05. Lidhur me rastin me datë 07.05.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe nga ai është konfiskuar një revole. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

Rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”./Pejanefokus.net/Lajme/

LEXO EDHE: