Zeja e përpunimit të lëkurës kishte një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike e shoqërore të Pejës, ndërsa tabakët kishin edhe një sistem të veçantë për rregullimin e mosmarrëveshjeve dhe marrëdhënieve mes tyre.
Tabakët ishin zejtarët që merreshin me prodhimin dhe përpunimin e lëkurës, një zeje që për një periudhë të gjatë kishte rëndësi të veçantë për ekonominë e Pejës. Lëkura e përpunuar përdorej nga saraçët, këpucëtarët dhe më vonë edhe nga galanteristët.

Rëndësia e kësaj zeje nuk kufizohej vetëm në aspektin ekonomik. Që në kohën e Perandorisë Osmane, tabakët e Pejës kishin Esnafin e tyre, i cili, përveç organizimit të jetës së zejtarëve, merrej edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Sipas të dhënave të publikuara në Monografinë e Zejes së Tabakëve të autorit Sejdi Berisha, familjet dhe individët që kishin mosmarrëveshje, zënka apo probleme të tjera, mund t’i drejtoheshin Esnafit të Tabakëve. Vendimet e tij duhej të respektoheshin dhe zbatoheshin.
Mosrespektimi i vendimeve mund të sillte masa ndëshkuese, përfshirë gjoba të konsiderueshme, bojkotimin e zejtarëve dhe forma të tjera sanksionimi.
Ky rregullim ndikonte edhe në marrëdhëniet tregtare. Konkurrenca jolojale dhe mosmarrëveshjet mes zejtarëve thuhet se ishin të rralla, ndërsa sistemi i Esnafit shërbente si mekanizëm për ruajtjen e rendit brenda kësaj bashkësie profesionale.
Pjesë e jetës së tabakëve ishin edhe traditat e përbashkëta. Zejtarët organizonin dreka të përbashkëta të shtunave dhe gjatë festave, të cilat përgatiteshin me pajisje tradicionale të kuzhinës, ndërsa në raste të ndryshme ftoheshin edhe mysafirë.

Emra të njohur të tabakëve të Pejës
Në mesin e tabakëve të përmendur në monografi janë Haxhi Ajdin Bukleta, Nimon Bukleta, Shuqri Bukleta, Ragip Bukleta, Haxhi Bukleta, Vehbi Bukleta, Riza Tigani, Cufë Loci, Ramiz Loci, Canë Loci, Abdullah Loci, Kahreman Loci dhe Muhamet Loci.
Si familje e njohur në këtë zeje përmendet edhe familja Ruli, nga e cila këtë zanat e ushtruan Mujan Ruli, Riza Ruli, Isa Ruli, Hysen Ruli dhe Qazim Ruli.
Në mesin e tabakëve të dalluar përmendet edhe Ramë Gruda, ndërsa nga kjo familje me zejen u mor edhe Abdullah (Aba) Gruda. Në monografi përmenden gjithashtu Sabri Prizreni, Salih Teslica, Sabri Teslica, Fejzullah Teslica, Hamdi Bala, Selim Kollçaku, Mahmut Bajrami, Idriz Bajrami, Arif Laha dhe Mustafë Kadusha, ndër shumë të tjerë.

Kooperativa e parë e zejtarëve pejanë
Rëndësia e zejes së tabakëve vazhdoi edhe në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1944, në Pejë u themelua Kooperativa e Tabakëve, e cila, sipas monografisë së Sejdi Berishës, ishte edhe kooperativa e parë e zejtarëve pejanë.
Me kalimin e kohës, kjo zeje u shua, por historia e tabakëve mbetet pjesë e trashëgimisë zejtare, ekonomike dhe shoqërore të Pejës. /Pejanefokus.net /Image of Peja/
Burimi: Sejdi Berisha, “Monografia e Zejes së Tabakëve”.

