Katërrotëshat po marrin jetë në rajonin e Pejës

Nga Treboviqi në Pejë, te Lugu i Butë në Istog dhe Jasiqi në Junik, raportimet e portalit Peja në Fokus kanë evidentuar disa raste ku mjetet katërrotëshe janë përfshirë në aksidente me pasoja të rënda.

Një tjetër aksident me katërçikletë, këtë herë me fatalitet, ka ndodhur të shtunën, më 12 shtator 2026, në fshatin Jasiq të Junikut.

Sipas Policisë, drejtuesi i katërçikletës, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi mjetin, ka dalë jashtë rrugës dhe është përplasur në një breg.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Peja në Fokus ka mësuar se viktima ishte Sh.A., nga Drenoci i Vokshit, rreth 45-vjeçar.

Kliko lajmin e raportuar:  https://www.facebook.com/share/p/1MY4bBkewB/

Një rast i ngjashëm një vit më parë në Pejë

Ky rast tërheq vëmendjen edhe për faktin se pothuajse në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një tjetër aksident fatal ku ishte përfshirë një katërçikletë kishte ndodhur në rajonin e Pejës.

Më 26 shtator 2025, në fshatin Treboviq të Pejës, një aksident kishte ndodhur mes një veture dhe një katërçiklete.

Nga përplasja kishte humbur jetën një person, ndërsa një tjetër kishte pësuar lëndime trupore. Rasti ishte konfirmuar për Peja në Fokus nga zëdhënësi i atëhershëm i Policisë në Pejë, Fadil Gashi.

Kliko lajmin e raportuar: https://www.facebook.com/share/p/19QHzKKCTU/

Edhe në Istog, dy persona të lënduar

Vetëm pak javë para aksidentit fatal në Jasiq, një tjetër rast me mjet katërrotësh ishte raportuar në rajonin e Pejës.

Më 26 gusht 2026, rreth orës 19:35, në bjeshkën “Lugu i Butë” në Istog, dy persona kishin pësuar lëndime trupore në një aksident me motor katërrrotësh.

Të lënduarit ishin dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

Edhe këtë rast, “Peja në Fokus” e kishte raportuar bazuar në informacionet e konfirmuara nga Driton Rugova, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës.

Kliko lajmin e raportuar: https://www.facebook.com/share/p/18GydCUVjS/

Një seri rastesh që meriton vëmendje

Këto tri raste, të evidentuara nga raportimet e Peja në Fokus, tregojnë se gjatë një periudhe rreth njëvjeçare, mjetet katërrotëshe janë përfshirë në disa aksidente të rënda në rajonin e Pejës dhe Junikut.

Në dy prej rasteve ka pasur pasoja fatale, ndërsa në një rast tjetër dy persona janë lënduar.

Kjo nuk mjafton për të nxjerrë përfundimin se kemi të bëjmë me një trend të përgjithshëm të aksidenteve me katërçikleta, por përsëritja e rasteve me pasoja të rënda është një element që meriton vëmendje, sidomos për sigurinë gjatë përdorimit të këtyre mjeteve.

Nga Treboviqi në vitin e kaluar, te Lugu i Butë dhe tash Jasiqi, arkivi i raportimeve lokale tregon se katërçikletat janë shfaqur në disa prej rasteve të rënda të trafikut të raportuara në këtë pjesë të vendit./Pejanefokus.net./Ju flet Peja/

LEXO EDHE: