Në Pejë nis viti i ri shkollor 2026/2027

Në Pejë sot ka nisur viti i ri shkollor 2026/2027. Drejtori i Arsimit, Naser Gega, thotë se në pjesën më të madhe të shkollave mësimi ka filluar normalisht, ndërsa flet edhe për numrin e nxënësve, mungesën e mësimdhënësve, infrastrukturën dhe problemet me energjinë elektrike në dy objekte shkollore.

Sot, më 1 shtator, sikurse në të gjithë vendin, edhe në Pejë ka nisur procesi i rregullt mësimor, duke shënuar hapjen e vitit të ri shkollor 2026/2027.

Lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, Peja në Fokus ka realizuar një bisedë telefonike me drejtorin e Drejtoratit të Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega.

“Viti i ri shkollor ka filluar shumë mirë”

I pyetur nëse gjithçka ka nisur siç duhet, Gega tha se mësimi ka filluar në pothuajse të gjitha shkollat e Pejës.

“Viti i ri shkollor ka filluar shumë mirë. Kryesisht në të gjitha shkollat e Pejës ka filluar mësimi. Mësimi nuk ka filluar vetëm në paralelen e ndarë, në shkollën ‘Pjetër Budi’, në Poqestë, sepse ka rinovime. Shpresojmë në javën tjetër.”

14 mijë e 872 nxënës në shkollat e Pejës

Sa i përket numrit të nxënësve, drejtori Gega bëri të ditur se këtë vit shkollor klasën e parë e kanë nisur 1 mijë e 100 nxënës, ndërsa në klasat e dhjeta janë 1 mijë e 114 nxënës.

“Janë njëmijë e njëqind filloristë që për herë të parë këtë vit kanë nisur vitin e parë të shkollës në Pejë. Në klasat e dhjeta janë njëmijë e njëqind e katërmbëdhjetë, ndërsa gjithsej nxënës i kemi 14 mijë e 872, nga klasa e parë deri në klasën e 12-të.”

Mungesë e mësimdhënësve në disa lëndë

Gega tha se janë shpallur disa konkurse për plotësimin e vendeve të punës, por sipas tij, në përgjithësi nxënësit nuk kanë mbetur pa mësimdhënës.

“I kemi shpallur disa konkurse dhe janë në proces, mirëpo kryesisht nxënësit nuk janë pa mësimdhënës. E vazhdojnë edhe një muaj derisa të përfundojë procesi i konkursit, në disa lëndë siç është matematika, si dhe tek disa mësimdhënës të cilët janë të pakualifikuar, të cilëve ua kemi rishpallur konkursin. Kryesisht nxënësit janë të mbuluar të gjithë për momentin.”

Gega: Shkollat janë të përgatitura, disa punime ende në proces

Drejtori i Arsimit tha se, përveç objektit ku po zhvillohen rinovime, shkollat e tjera janë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Përveç shkollës me paralelen e ndarë në ‘Pjetër Budi’, në ‘Dardania 3’, ku është një rinovim total i brendshëm, shkollat e tjera janë në rregull. Është investuar. Përgatitjet teknike janë bërë me kohë.”

Ai përmendi edhe disa punime që janë ende në proces, përfshirë kulmet dhe palestrat sportive.

“Disa pullaze të kulmeve, për shembull në dy shkolla, sidomos në shkollën ‘Lidhja e Pejës’, në Novosellë, si dhe disa të tjera janë në proces. Për shembull, palestra sportive do të bëhet në shkollën ‘Lidhja e Pejës’ edhe në shkollën ‘Rifat Gjota’. Në këtë shkollë po ashtu duhet të vendoset kaldaja e re, kështu që teknikisht janë mirë të përgatitura shkollat.”

Problemet me energjinë elektrike në dy objekte

Peja në Fokus e pyeti drejtorin Gega edhe për çështjen e objektit në Vitomiricë, për të cilin portali ka pranuar ankesa nga prindërit, si dhe për problemet me ngrohjen në shkollën “Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë.

Gega tha se problemet lidhen me furnizimin me energji elektrike dhe se Komuna është në bashkëpunim me KEDS-in për zgjidhjen e tyre.

“Po, çështja është tek këto dy shkolla, çështja është tek KEDS-i. Shkolla ‘Vaso Pasha’ dhe shkolla ‘1 Shtatori’ në Vitomiricë, ne e kemi kryer procesin e tenderimit dhe në janar ka përfunduar dhe kanë filluar punimet, ku janë vendosur trafot e reja. Punëkryesi ka premtuar, afatin e ka pasur me sot me dorëzu definitivisht. Por, si duket, as sot nuk e ka dorëzuar. Jemi në pritje të raportit.”

Sipas tij, në rastin e shkollës në Vitomiricë, KEDS-i ka vendosur kabllon furnizuese, por kapaciteti i saj nuk është i mjaftueshëm për nevojat e objektit.

“Ndërsa Vitomiricë, KEDS-i ka vendosur kabllon furnizuese për rrymë, mirëpo kablloja është e kapacitetit më të vogël, e neve na duhet një kabllo pak më e madhe. Jemi në bashkëpunim me KEDS-in që sa më urgjentisht me kry.”

Gega theksoi se objekti është i gatshëm, por problemi shfaqet sidomos kur aktivizohet sistemi i ngrohjes.

“Objekti është i gatshëm, vetëm me fillu. Problemi tek ata është se afatet nuk po i kanë gjithaq të prera. Ata janë të gatshëm me bashkëpunu dhe ne jemi të gatshëm me participu çdo gjë që ka nevojë. Objekti rrymë ka, por kur vjen koha e përdorimit të kaldajave e ngrohjes, pastaj nuk po funksionon.”

Gega: “Prindërit le të tërhiqen pak nga dëshirat e tyre”

Në fund, drejtori i Arsimit në Pejë dha edhe një mesazh për nxënësit dhe prindërit, duke thënë se fëmijët duhet të kenë hapësirë të rriten dhe të zhvillohen pa presion.

“Nxënësit le të jenë vetvetja. Prindërit le të tërhiqen pak nga dëshirat e tyre, duke mos bërë presion tek fëmijët. Le të rriten si nxënës dhe si fëmijë, siç është më e mira, sepse fëmijët i kemi të mrekullueshëm dhe përkrahjen do ta kenë maksimalisht nga Drejtoria e Arsimit dhe shkollat.”

Ai tha se prioritet duhet të jenë nxënësit.

“Ne jemi për nxënësit, e nuk janë ata për ne dhe duhet ta bëjmë më të mirën e mundshme për ta. U dëshiroj sukses dhe shëndet të mirë të gjithëve, e sidomos filloristëve, të cilët kanë filluar sot vitin e parë në shkollë.” /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/

LEXO EDHE: