Së fundmi janë përseri banorët e fshatit Poqestë që kanë raportuar mbylljen e sërishme sot (1 shtator 2026) se Ambulanta e Mjekësisë Familjare në këtë lokalitet është e mbyllur, teksa në derën e ambulantës është vendosur një njoftim i shkruar me laps, ku thuhet se ajo do të qëndrojë e mbyllur deri më 14 shtator 2026.
“AMF POQESTË – STAFI NË PUSHIM! E MBYLLUR DERI: 14/09/26”, shkruan në hyrje të ambulantës.

Lidhur me rastin, Peja në Fokus ka kërkuar përgjigje nga Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Pejës dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.
Mbyllja e AMF-së në Poqestë nuk është rast i izoluar. Më 23 qershor, ambulanta ishte mbyllur dhe në derë ishte vendosur njoftimi se do të qëndronte e mbyllur deri më 1 korrik. Atëkohë, drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, kishte deklaruar se shkak ishte mungesa e stafit për shkak të shfrytëzimit të pushimeve vjetore.
Edhe në tetor të vitit 2024, AMF-ja në Poqestë ishte mbyllur përkohësisht. Atëherë, Loci kishte deklaruar se mungesa e stafit ishte shkaktuar nga fillimi i specializimeve të disa mjekëve, duke bërë që QKMF-ja të ndërhynte me masa për funksionalizimin e njësive.
Ndërkohë, raste të mbylljes së përkohshme janë raportuar edhe në ambulanta të tjera të Pejës. Më 8 korrik të këtij viti, e mbyllur ishte ambulanta në fshatin Nabërgjan, ndërsa më herët ishte raportuar edhe për mbylljen e përkohshme të ambulantës në lagjen “Taphone”. Edhe në këto raste, si arsye ishte përmendur mungesa e stafit gjatë shfrytëzimit të pushimeve vjetore.
Vlen të theksohet se për problemin e mungesës së stafit në ambulantat e Pejës është deklaruar edhe kryeshefja e Mjekësisë Familjare, Dr. Arjeta Musliqi. Në një intervistë të realizuar së fundmi nga gazetari Valdrin Daci për Klan Kosovën, ajo u pyet nëse do të ishte më e udhës të rriteshin kapacitetet e stafit, në vend të planifikimit të objekteve të reja të ambulantave.

Kliko intervisten me video-link: https://www.youtube.com/watch?v=m3lo_4GnD9Q
Musliqi kishte sqaruar se numri i stafit është i përcaktuar dhe se komuna nuk mund ta rrisë atë pa pensionimin apo largimin e një punëtori.
“Nuk mujm me shtu numrin e stafit, për arsye se numri është fiks. Çdo komunë e ka numrin fiks të stafit”, kishte deklaruar Musliqi.
Ajo kishte thënë gjithashtu se ambulantat që mbyllen përkohësisht njoftojnë paraprakisht qytetarët dhe se në afërsi të tyre ka ambulanta të tjera ku mund të merren shërbimet shëndetësore.
“Zakonisht dy ambulanta në afërsi prej 5 kilometrash janë ambulanta të tjera ku qytetarët munden me marrë shërbim”, kishte sqaruar Musliqi.
Rasti i fundit në Poqestë rikthen kështu shqetësimet për funksionimin e rregullt të ambulantave të mjekësisë familjare në zonat e Pejës, ndërsa përgjigjja e institucioneve shëndetësore lidhur me mbylljen e fundit mbetet në pritje. /PejaNëFokus.net/ Ju flet Peja/
