Banorët e fshatit Poqestë më 1 shtator 2026 kishin raportuar për mbylljen e ambulantës, ndërsa në derën e objektit ishte vendosur një njoftim i shkruar me laps, ku thuhej se ajo do të qëndronte e mbyllur deri më sot, 14 shtator.
“AMF POQESTË – STAFI NË PUSHIM! E MBYLLUR DERI: 14/09/26”, shkruante në njoftimin e vendosur në hyrje.
Sot, banorët kanë dërguar fotografi në redaksinë e Peja në Fokus, ku shihet se ambulanta është hapur dhe po funksionon.
Peja në Fokus raportoi më herët për mbylljen e fundit, duke ngritur shqetësimin për funksionimin e rregullt të shërbimeve të mjekësisë familjare në zonat rurale.
Kliko këtu lajmin për raportimin paraprak: https://pejanefokus.net/shpeshtohet-mbyllja-e-perkohshme-e-ambulantave-ne-peje/
Ndryshe, mbyllja e AMF-së në Poqestë nuk është rast i izoluar. Më 23 qershor, ambulanta ishte mbyllur dhe në derë ishte vendosur njoftimi se do të qëndronte e mbyllur deri më 1 korrik.
Edhe në tetor të vitit 2024, AMF-ja në Poqestë ishte mbyllur përkohësisht.
Raste të mbylljeve të përkohshme janë raportuar edhe në ambulanta të tjera të Komunës së Pejës. Më 8 korrik të këtij viti ishte raportuar për mbylljen e ambulantës në fshatin Nabërgjan, ndërsa më herët ishte raportuar edhe për mbylljen e përkohshme të ambulantës në lagjen “Taphone”.
Për mungesën e stafit në ambulantat e mjekësisë familjare në Pejë, institucionet shëndetësore kishin deklaruar më herët se numri i stafit është i përcaktuar dhe se Komuna nuk mund ta rrisë atë pa pensionimin apo largimin e një punëtori.
Kliko video-intervistën në link: https://www.youtube.com/watch?v=m3lo_4GnD9Q
Sipas tyre, ambulantat që mbyllen përkohësisht i njoftojnë paraprakisht qytetarët, ndërsa në afërsi të tyre ka ambulanta të tjera ku mund të merren shërbimet shëndetësore.
Me rihapjen e sotme, shërbimi në AMF-në e Poqestës është rikthyer, ndërsa mbetet çështje për t’u parë nëse mbylljet e përsëritura do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
